Kalo te përmbajtja
Aplikacioni Mobil

Politika e privatësisë

Kjo politikë e privatësisë shpjegon se si Petrol Company mbledh, përdor dhe mbron të dhënat tuaja personale kur përdorni aplikacionin tonë mobil të lojalitetit.

Përditësuar më: 31 tetor 2026

01Kush jemi

Aplikacionin Petrol Company e ofron Petrol Company sh.p.k., me seli në Prishtinë, Republika e Kosovës (në vijim “Petrol Company”, “ne”). Ne jemi kontrollues i të dhënave personale që përpunohen përmes aplikacionit.

Për çdo pyetje mbi privatësinë, na shkruani në info@petrolcompany.biz me temë “Privatësi Aplikacioni - kërkesë”.

02Të dhënat që mbledhim

  • Llogaria: emri, mbiemri, numri i telefonit dhe komuna kërkohen në regjistrim; email-i është opsional. Hyrja bëhet me numrin e telefonit dhe një kod verifikimi me SMS përmes Google Firebase Authentication. Ruajmë edhe identifikuesin e hyrjes nga Firebase, një kod klienti dhe një numër karte karburanti që i gjenerojmë për sistemin e stacioneve.
  • Niveli dhe blerjet: data, stacioni, lloji i karburantit, litrat, shuma, zbritja për litër, kursimi, niveli në kohën e blerjes, mënyra e pagesës dhe numri i kuponit. Nga blerjet llogaritet niveli juaj dhe ruajmë historikun e ndryshimeve të nivelit.
  • Automjetet: përpara skanimit duhet të shtoni një automjet me markën, modelin dhe llojin e karburantit. Viti dhe targa janë opsionale. Nëse e lini targën bosh, gjenerohet një kod anonim për sistemin e stacioneve.
  • Grupi familjar (opsional): emri i grupit, anëtarët, roli i secilit dhe ftesat që dërgohen me numër telefoni. Anëtarët shohin emrin, mbiemrin dhe numrin e telefonit të njëri-tjetrit; krijuesi sheh edhe email-et e anëtarëve.
  • Hapja e pompës (Skano): stacioni, pompa, koha, produkti i karburantit, automjeti i zgjedhur, rezultati i hapjes, litrat dhe shuma e furnizimit, si dhe vendndodhja e telefonit në atë çast, saktësia e saj dhe distanca nga stacioni.
  • Njoftimet: Google Firebase Cloud Messaging i jep telefonit një token njoftimesh dhe e regjistron në llojet e njoftimeve që zgjidhni; kur ofertat janë të ndezura, edhe në njoftimet për komunën tuaj. Tokeni mbahet te Firebase. Njoftimet ruhen edhe në aplikacion, me shenjën nëse i keni lexuar.
  • Të dhëna teknike: serveri ynë sheh adresën IP dhe të dhënat e zakonshme të kërkesave në internet. Google Firebase, gjatë hyrjes me SMS, kontrollon pajisjen përmes reCAPTCHA në iOS dhe Play Integrity ose reCAPTCHA në Android, dhe merr modelin e telefonit dhe versionin e sistemit.

Nuk mbledhim numrin personal, të dhëna të kartës bankare, fotografi apo zë. Nuk përdorim mjete analitike apo reklamuese.

03Qëllimet dhe baza ligjore e përpunimit

  • Për ta krijuar dhe mbajtur llogarinë dhe për t’ju identifikuar në hyrje.
  • Për të treguar nivelin, kursimin dhe historikun e blerjeve dhe për të aplikuar zbritjen e nivelit tuaj në stacion.
  • Për ta hapur pompën kur skanoni kodin e saj dhe për ta regjistruar furnizimin me zbritjen tuaj.
  • Për t’ju treguar stacionet më të afërta.
  • Për njoftime për shërbimin, nivelin dhe furnizimet tuaja dhe, nëse i ndizni, për ofertat.
  • Për siguri dhe parandalim të abuzimit, si hapje larg stacionit ose dy hapje që nuk mund të bëhen nga i njëjti telefon në atë kohë.
  • Për detyrimet ligjore dhe tatimore.

Baza ligjore është kontrata me ju për shërbimin e besnikërisë që kërkoni, pëlqimi juaj për vendndodhjen, kamerën dhe njoftimet, interesi ynë legjitim për sigurinë dhe parandalimin e mashtrimit, si dhe detyrimet ligjore.

04Vendndodhja

Vendndodhjen e përdorim vetëm kur aplikacioni është i hapur, kurrë në sfond.

  • Stacionet më të afërta: distanca llogaritet në telefon dhe vendndodhja nuk dërgohet te ne për këtë funksion.
  • Hapja e pompës (Skano): pompa hapet vetëm brenda 100 metrave nga stacioni, duke marrë parasysh saktësinë GPS të telefonit. Me çdo kërkesë për hapje dërgohet vendndodhja e saktë e telefonit dhe saktësia e saj. Ato ruhen me regjistrimin e hapjes dhe distancën nga stacioni, dhe vendndodhja krahasohet me hapjen tuaj të mëparshme. Stafi ynë sheh distancën dhe saktësinë kur kontrollon një hapje. Pa leje për vendndodhjen e saktë, pompa nuk hapet nga aplikacioni.

Vendndodhja e ruajtur me hapjen fshihet pas 90 ditëve dhe menjëherë me fshirjen e llogarisë. Lejen mund ta hiqni kurdo te cilësimet e telefonit.

05Kamera

Kamera përdoret vetëm për të skanuar kodin QR në pompë. Pamjet nuk ruhen dhe nuk dërgohen askund; aplikacioni lexon vetëm kodin, në telefon.

06Njoftimet

Me lejen tuaj dërgojmë njoftime për ndryshime të shërbimit, ndryshime të nivelit tuaj dhe rezultatin e furnizimit me Skano. Njoftimet për ofertat e Be Happy dhe ofertat e karburantit janë të fikura derisa t’i ndizni vetë. Llojet e njoftimeve i menaxhoni te Llogaria ime → Njoftimet; të gjitha njoftimet mund t’i fikni edhe te cilësimet e telefonit.

07Me kë i ndajmë të dhënat

Të dhënat nuk i shesim dhe nuk i përdorim për reklama të palëve të treta. I ndajmë me ofruesit që na ndihmojnë të ofrojmë shërbimin, sipas marrëveshjeve për përpunim:

  • Google Firebase (Authentication dhe Cloud Messaging): numri i telefonit, kontrolli i pajisjes gjatë hyrjes, tokeni dhe llojet e njoftimeve që zgjidhni, përfshirë komunën kur ofertat janë të ndezura, modeli i telefonit dhe versioni i sistemit, për verifikimin me SMS dhe njoftimet.
  • Sistemi i stacioneve Stawiz/MEPSAN: pas hyrjes merr emrin, mbiemrin, telefonin, email-in nëse e keni dhënë, kodin e klientit, numrin e kartës së karburantit dhe nivelin tuaj; për automjetet merr targën ose kodin anonim të gjeneruar dhe llojin e karburantit. Për çdo hapje merr stacionin, pompën dhe produktin. Stawiz regjistron furnizimin dhe na kthen litrat, shumën dhe zbritjen.
  • Ofruesit e infrastrukturës cloud, Railway dhe Supabase: mbajnë serverin dhe bazën e të dhënave, ku përpunohen të dhënat e përshkruara më lart, përfshirë blerjet dhe hapjet e pompës me vendndodhjen.
  • Cloudflare: të dhënat që i dërgohen sistemit të stacioneve kalojnë përmes tij për lidhjen e sigurt me atë sistem.

Nëse aktivizohet raportimi i gabimeve, Sentry merr raportet e gabimeve, me modelin e telefonit dhe versionet e sistemit e të aplikacionit, pa emër, numër telefoni apo pamje të ekranit.

Çdo klient regjistrohet në sistemin e stacioneve menjëherë pas hyrjes, që zbritja të vlejë edhe pa Skano. Brenda grupit familjar, anëtarët shohin të dhënat e njëri-tjetrit siç përshkruhet më lart.

Të dhënat mund t’u jepen autoriteteve shtetërore vetëm kur e kërkon ligji ose një vendim gjykate.

Disa nga këta ofrues, si Google Firebase, i përpunojnë të dhënat jashtë Kosovës, me masa mbrojtëse sipas ligjit.

08Sa kohë i mbajmë të dhënat

  • Të dhënat e llogarisë i mbajmë sa është aktive llogaria.
  • Pas fshirjes së llogarisë, emri, mbiemri, telefoni, email-i, komuna, automjetet, anëtarësimi në grupin familjar, njoftimet dhe identiteti i hyrjes në Firebase fshihen menjëherë nga sistemi ynë. Në Stawiz kodi juaj i klientit çaktivizohet dhe nuk mund të përdoret për hapje pompe ose zbritje. Emri dhe telefoni që i janë dërguar atij sistemi mbeten aty te klienti i çaktivizuar, si për çdo klient tjetër të stacioneve.
  • Blerjet dhe historiku i nivelit ruhen të pseudonimizuara: pa emër, telefon apo email, të lidhura vetëm me një identifikues të brendshëm të llogarisë së fshirë, për statistika dhe për aq kohë sa e kërkojnë detyrimet tatimore.
  • Vendndodhja e ruajtur me një hapje pompe fshihet pas 90 ditëve dhe menjëherë kur fshini llogarinë; distanca nga stacioni mbetet.

09Fshirja e llogarisë

  • Në aplikacion: Profili → Llogaria ime → Fshij llogarinë, pastaj konfirmoni. Fshirja është e menjëhershme dhe e pakthyeshme; të dhënat që mbahen pas saj përshkruhen më lart. Fshirja refuzohet gjatë një furnizimi me Skano ende të hapur; provoni përsëri pasi të përfundojë. Nëse jeni krijuesi i një grupi familjar, grupi shpërbëhet.
  • Me email: dërgoni kërkesë në info@petrolcompany.biz me temë “Fshirje e Llogarisë së Aplikacionit” dhe numrin e telefonit të llogarisë.

10Të drejtat tuaja

Sipas Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, keni të drejtë të kërkoni qasje në të dhënat tuaja, korrigjimin, fshirjen ose kufizimin e tyre, të kundërshtoni përpunimin dhe të tërhiqni pëlqimin kurdo. Kërkesat dërgojini në info@petrolcompany.biz. Keni gjithashtu të drejtë të ankoheni te Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).

11Mosha

Aplikacioni është për persona mbi 18 vjeç.

12Ndryshimet e politikës

Kur ndryshojmë këtë politikë, përditësojmë datën në krye dhe, për ndryshime të rëndësishme, ju njoftojmë në aplikacion.